TIRANËMëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 78-vjeçar nga qyteti i Durrësit i prekur me koronavirus, duke çuar numrin e viktimave në 16. Në total janë konfirmuar 277 të prekur (18 raste të reja brenda 24 orëve), 8 prej të cilëve janë fëmijë. Në komunikimin e përditshëm për mediat, ministria e Shëndetësisë, ka dhënë detaje lidhur me rastin e 78-vjeçarin. Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja sqaron se 78-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Mes 96 testeve të kryera gjatë 24 orëve të fundit, 9 kanë qenë për mjekët, të cilët kanë rezultuar fatmirësisht të gjithë negativë.

Në spitali Infektiv janë shtruar 4 pacientë  të rinj, duke e çuar në total në 81. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion, bën me dije ministria, janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është 1 pacient të shtruar, bëhet fjalë për të renë e cila iu ndënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e apandesitit. 

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë.

Harta e qyteteve të prekura me koronavirus, përgatitur nga Report Tv

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive
Tiranë 143 raste
Durrës 30 raste
Fier 23 raste
Korçë  16 raste
Shkodër 10 raste
Has 8 raste
Elbasan 8 raste
Kavajë 6 raste
Lezhë 6 raste
Vlorë 5 raste
Krujë 5 raste
Lushnje  4 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 4 raste
Rrogozhinë 2 raste
Mirditë  2 raste
Berat  1 rast

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. “Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 0800 40 40 për përfitimin e barnave me rimbursim dhe cdo pyetje për COVID-19 ndërsa në numrin e urgjencës kombëtare 127 duhet të telefonojnë nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19″, njofton Ministria e Shëndetësisë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 12:01

Njëri tregtar dhe tjetra një grua që mori pjesë në fatkeqësi familjare, dy rastet e reja në Shkodër rrezikojnë të sjellin shumë të infektuar

1585821793_unnamed.jpg

Dy rastet në Shkodër të konfirmuara sot nga Ministria e Shëndetësisë janë raste të reja të cilat nuk lidhen me të mëparshmit në Shkodër. Bëhet fjale për një grua 65-vjeçare nga lagjja Kiras dhe një 55 vjeçar nga Dobraçi i Shkodrës. Mësohet se gruas i kishte vdekur bashkëshorti dy javë më parë dhe në funeral kane marrë pjesë shumë persona ç’ka shton frikën dhe panikun për infektime të reja të mundshme. Po ashtu 55-vjeçari kishte një njësi shërbimi tregtare me lëndë ndërtimi dhe elektrike. Ç’ka do të thotë se edhe personi në fjalë ka patur shumë kontakte.

Ora 12:01

MSH: Në karantinën shtetërore asnjë person, 2 të izoluarit u larguan se nuk shfaqën simptoma

1585821762_pytjemsh1.jpg

Asnjë person nuk është i shtruar në karantinën shtetërore e cila është në Konvaleshencë. Lajmi është bëri i ditur nga përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP) Rovena Daja ka deklaruar se 2 personat të cilët ndodheshin në këtë karantinë janë larguar pasi nuk kanë shfaqur shenja, Ajo ka sqaruar se në këtë karantinë qëndrojnë persona të cilët nuk janë konfirmuar pozitiv, por persona të afërm të tyre që për motive të ndryshme nuk mund të vetëizolohen në shtëpinë e tyre.

Ora 12:00

Harta e qyteteve të prekura zgjerohet me një rast të ri në Kavajë

Harta e qyteteve të prekura është zgjeruar në Kavajë me një rast të ri. Bëhet fjalë për një 60-vjeçar me inicialet B.T.

Ora 11:49

Burime: 4 fëmijët e prekur me COVID-19 të izoluar në shtëpi, njëri kishte temperaturë

Mes 18 rasteve të reja të konfirmuara gjatë 24 orëve të fundit, 4 prej tyre janë fëmijë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ato janë vetëizoluar në shtëpi dhe janë infektuar nga kontakti me familjarë që janë konfirmuar më herët pozitiv. Mësohet se vetëm njëri prej tyre ka shfaqur temperaturë të lehtë dhe gjendja e tyre është e stabilizuar.

Ora 11:48

Një rast i ri me COVID-19 në Lezhë, person kontakti me një të infektuar

Në qytetin e Lezhës është konfirmuar një rast i ri me COVID-19. Bëhet fjalë për një grua, person kontakti me të afërm që janë konfirmuar më herët pozitiv. Ajo është dërguar në spitalin Infektiv mbrëmjen e djeshme.

B.K./Shqiptarja.com





Source link